
Diplomoi gjenerata e 45-të e zyrtarëve korrektues
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe zëvendësministrin, Blerim Sallahu, mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 45-të të Zyrtarëve Korrektues.
Në këtë ditë të veçantë kryeministri Kurti tha se, sot, diplomimi i 111 kadetëve është dëshmi e angazhimit tonë për një sistem korrektues të fuqishëm, të sigurt dhe të drejtë, përveç se thjesht një ceremoni.
“Me diplomimin e gjeneratës së 45-të të Zyrtarëve Korrektues, ne forcojmë edhe më shumë sistemin tonë korrektues dhe i shtojmë radhët me profesionistë të përgatitur. Ata e ato do të jenë garantues të drejtësisë dhe rregullit në institucionet tona korrektuese”, u shpreh ai.
Kryeministri shtoi se puna në sistemin korrektues është e domosdoshme, me ç’rast përmes reformave të ndërmarra gjatë viteve të fundit, janë bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e sigurisë, rehabilitimin e të dënuarve, përmirësimin e kushteve të punës për zyrtarët korrektues, investimin në infrastrukturë, forcimin e njësiteve të specializuara dhe zgjerimin e programeve rehabilituese për të burgosurit.
“Disa nga rezultatet e përmendura përfshijnë edhe rritjen e rasteve të parandaluara të kontrabandës, zgjerimin e programeve rehabilituese, rritjen e sigurisë brenda institucioneve korrektuese falë fuqizimit të Njësisë së Inteligjencës, Njësisë Ekonomike dhe Njësisë për Vlerësimin dhe Klasifikimin e të Burgosurve, mundësi të reja punësimi për të burgosurit në kompani publike e ndërmarrje private, progres në barazinë gjinore duke rritur numrin e grave në Shërbimin Korrektues, si dhe respektimin e të drejtave të të burgosurve, përfshirë rritjen e ditëve të lejuara për vikend në shtëpi dhe lejimin e pakove ushqimore”, thuhet në njoftimin e bërë nga zyra e kryeministrit.
Ndërkaq, duke iu drejtuar të diplomuarve, kryeministri shprehu se, përveç se të mbajnë rendin, ata duhet edhe të kontribuojnë në rehabilitimin dhe risocializimin e atyre që janë në duart e sistemit korrektues. Për këtë arsye, kërkohet prej tyre profesionalizëm, etikë dhe angazhim i lartë. “Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të mbështesë fuqizimin e Shërbimit Korrektues dhe të gjithë zyrtarëve që japin kontribut në këtë fushë. Siguria, drejtësia dhe sundimi i ligjit janë shtyllat e një shteti të fortë, të qëndrueshëm e demokratik, dhe ju, duke nisur që nga sot, jeni pjesë e kësaj shtylle kaq të rëndësishme”, përmbylli kryeministri, duke i uruar të diplomuarve suksese në rrugëtimin profesional dhe falënderuar për angazhimin e marrë për të shërbyer në vendin tonë me nder e dinjitet.