Dinamo kërkon t’i “hakmerret” Ballkanit
Ballkani do të zhvillojë ndeshjen jetike për të vazhduar aventurën në Konferencë Ligë.
Dinamo Zagreb dhe Ballkani do të përballen të enjten nga ora 21:00, në stadiumin “Maksimir”.
Trajneri i Dinamo Zagrebit, Sergej Jakiroviq, e ka vlerësuar ndeshjen me Ballkanin si shumë të rëndësishme për ekipin e tij.
“Na pret një ndeshje shumë e rëndësishme, vendimtare për qëllimin tonë të parë, për të kaluar dimrin në Evropë. Ne këtë ndeshje donim ta kishim pas fitores në Astana dhe tani e kemi këtë finale në shtëpi kundër Ballkanit. Pres që të prezantohemi seriozisht, të jemi të përgjegjshëm taktikisht. Na përshtatet edhe barazimi, por e kemi të pamundur të luajmë për barazim. Ne duam të fitojmë, kështu do të pozicionohemi prej minutës së parë dhe besoj se do ta arrijmë objektivin që është avancimi tutje”, tha Jakiroviq të mërkurën në konferencën për shtyp, transmeton lajmi.
Ballkanit i nevojitet fitorja në Zagreb dhe të shpresojë në fitoren e Plzenit kundër Astanas, për të siguruar kalimin në fazën tjetër.
Suharekasit kanë katër pikë në pozitën fundit, po aq sa Astana një vend më lart.
Viktoria Plzen është lider me 15 pikë, ndërkohë Dinamo Zagreb është i dyti me gjashtë pikë.