Dinamo dhe Prishtina e Re do të përballen në ndeshjen e barazhit
Është përmbyllur edicioni i rregullt në Raiffeisen Ligën e Parë të Kosovës në futboll.
Suhareka dhe Ferizaj janë kurorëzuar një javë më herët si kampione në grupet respektive, teksa sot pas javës së 27-të (të fundit) janë përcaktuar edhe dy skuadrat që do të luajnë në ndeshjen e barazhit të kësaj lige.
Do të jenë Dinamo dhe Prishtina e Re, që më 26 maj do të përballen në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, ku skuadra fituese do të luajë më pas ndeshjen e barazhit për hyrje në elitë, me skuadrën që e mbyll kampionatin në pozitën e 8-të në renditjen e AlbiMall Superligës.
Ndërkaq, nëse do të ishte situatë normale, në fund të kampionatit do të duhej të largoheshin nga liga dy skuadrat e fundit në grupet respektive, por pas përjashtimit nga garat të Vllaznisë dhe Ulpianës, tani do të vendoset me vendim të posaçëm dhe gjithçka do të dihet gjatë javës së ardhshme.
Të rikujtojmë që Liga e Parë, e cila është e ndarë në dy grupe, që nga viti 2025 do të jetë ligë unike, për çka është marrë vendimi dhe me kohë janë njoftuar edhe klubet.