Dhomat e Specializuara nënshkruajnë marrëveshjen për zbatimin e dënimeve me Belgjikën

Dhomat e Specializuara nënshkruajnë marrëveshjen për zbatimin e dënimeve me Belgjikën

Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Mbretëria e Belgjikës kanë nënshkruar zyrtarisht marrëveshjen mbi zbatimin e dënimeve.

Kjo u bë me dije përmes një njoftimi për medie nga Gjykata Speciale e Kosovës ku ndër të tjera thuhet se sipas kësaj marrëveshje, personat e dënuar nga DHSK-ja mund ta kryejnë dënimin me burgim në Belgjikë, në varësi të kushteve që cakton DHSK-ja dhe miratimit të Belgjikës.

“Kryetarja Ekaterina Trendafilova nënvizoi se zbatimi i dënimit është thelbësor për një sistem gjithëpërfshirës dhe efektiv të drejtësisë penale ndërkombëtare. Ajo shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës për DHSK-në dhe theksoi: ‘Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Mbretëria e Belgjikës riafirmon përkushtimin e fuqishëm të saj ndaj drejtësisë penale ndërkombëtare dhe aftësinë e DHSK-së për të kryer mandatin e vet’”.

Tutje në njoftim thuhet se kryetarja e DHSK-së ftoi gjithashtu edhe shtetet e tjera të ndjekin shembullin e Belgjikës në fuqizimin e kornizës së DHSK-së për zbatimin e dënimeve përmes arritjes së marrëveshjeve të ngjashme.

“Shefi i Autoritetit Qendror të Belgjikës deklaroi: ‘Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje dëshirojmë të shprehim mbështetjen e Belgjikës ndaj DHSK-së dhe drejtësisë ndërkombëtare në tërësi. Me këtë marrëveshje, Belgjika tregon angazhimin e vet të palëkundur ndaj funksionimit të plotë të DHSK-së, sipas marrëveshjes midis BE-së dhe Kosovës’”, thuhet në njoftimin për medie.

Po ashtu në njoftim bëhet me dije se në pajtim me shkëmbimin e letrave të vitit 2014 midis përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë dhe presidentes së Kosovës, dhe nenin 162 të Kushtetutës së Kosovës dënimet e formës së prerë kryhen jashtë Kosovës.

Share This