Dhjetëra të plagosur në Kharkiv pas sulmeve ruse
Numri i personave të plagosur nga sulmet e rënda ajrore të Rusisë gjatë natës në Ukrainë është rritur në 23 në qytetin lindor të Kharkivit, shkroi sot kryebashkiaku, Ihor Terekhov në Telegram.
Terekhov tha se qyteti ishte goditur nga një raketë e ripërdorur e mbrojtjes ajrore S-400.
“Sulmet gjithashtu plagosën tetë persona në qytetin port jugor të Odesës”, sipas prokurorit publik ukrainas.
“Në rajonin juglindor të Ukrainës, Zaporizhia, sulmet plagosën një fëmijë dhe dëmtuan objektet e infrastrukturës dhe ndërtesat e banimit”, njoftoi administrata rajonale.
Guvernatori Ivan Fedorov njoftoi një sulm masiv me dron në zonë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u bëri thirrje sërish aleatëve të ushtrojnë presion mbi Rusinë dhe të furnizojnë me armë Ukrainën.
“Këto sulme ruse ndaj Ukrainës mund të ndalen. Përmes presionit, sanksioneve, bllokimit të aksesit të pushtuesve në komponentët që ata përdorin për të krijuar mjetet e këtij terrori, dërgesave të armëve për Ukrainën dhe një vendosmërie që duhet të jetë e palëkundur”, tha ai.
Sipas vëzhguesve ushtarakë ukrainas, trupat ruse gjithashtu kanë avancuar në rajonin e Donetskut dhe kanë marrë nën kontroll dy fshatra.
Ukraina është mbrojtur me ndihmën perëndimore kundër pushtimit rus në shkallë të plotë për më shumë se dy vjet e gjysmë, por aktualisht është nën presion të konsiderueshëm, raporton atsh.