
Dhjetëra të arrestuar për “fyerje” ndaj Erdoganit ndërsa protestat vazhdojnë
Autoritetet turke kanë arrestuar 55 persona me akuzën e fyerjes ndaj presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe familjes së tij gjatë protestave kundër arrestimit të rivalit të tij kryesor, kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu, njoftuan mediet shtetërore.
Të dyshuarit e arrestuar akuzohen se kanë marrë pjesë në “demonstrata të paautorizuara” dje në mbrëmje para zyrës së kryebashkiakut të pezulluar të Stambollit, Ekrem Imamoglu.
Pamjet e një grupi që fyejnë nënën e ndjerë të Erdogan kanë qarkulluar më herët në rrjetet sociale. Videot nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya dënoi fyerjet ndaj Erdogan dhe nënës së tij të ndjerë si “një sulmi i turpshëm” kundër vlerave morale.
Dje në mbrëmje, Yerlikaya tha se më shumë se 1 000 njerëz ishin arrestuar në lidhje me protestat e shkaktuara nga ndalimi i Imamoglu më 19 mars.
Imamoglu, i cili është burgosur për korrupsion dhe përballet me një hetim të veçantë lidhur me akuzat për terrorizëm, dënoi fyerjet në platformën X.
Megjithatë, ai sërish u zotua të luftojë me të gjitha mjetet legjitime kundër asaj që ai e quajti “grusht shteti”.
Për netët e gjashta radhazi, mijëra persona kanë dalë në rrugë në të gjithë Turqinë, duke sfiduar ndalimin e protestave dhe duke kërkuar lirimin e Imamoglu.
Pavarësisht burgimit të tij, opozita kryesore laike e Imamoglu, Partia Popullore Republikane (CHP) e emëroi atë si kandidatin presidencial.
Qeveria u është përgjigjur protestave me një goditje të ashpër të policisë, duke përfshirë në Stamboll dhe Ankara, pasi Erdogan i etiketoi demonstratat si “terror në rrugë”.
Trazirat kanë tronditur tregjet financiare turke duke shkaktuar rënien e mëtejshme të lirës turke.
Sipas ekonomistit Mahfi Egilmez, “turbulenca” çoi në humbje të mëdha në bursë. /atsh/