Detajet e formatit të ri të Superligës, si do të sfidojnë disa klube Champions-in

Detajet e formatit të ri të Superligës, si do të sfidojnë disa klube Champions-in

“A22 Sports Management” ka prezantuar po sot formatin e ri të Superligës.

Bernd Reichart tregoi se ky projekt ende është në letër, por shpreson që të vihet në jetë sa më shpejt të jetë e mundur si dhe për tu pranuar nga tifozët është munduar që ta bëjë sa më të kuptueshëm.

Sa skuadra do të marrin pjesë?

Numri i skuadrave do të jetë 64. Sipas projektit këto ekipe do të ndahen në tre liga të ndryshme. Star Liga do të përbehet nga 16 skuadra, të cilat do të ndahen në dy grupe me nga tetë skuadra. Po 16 skuadra do të ketë edhe Gold Liga, e cila gjithashtu do të përbëhet prej dy grupesh me nga tetë skuadra. Ndërsa liga e fundit do të jetë Blue Liga, e cila do të përbëhet prej 32 skuadrash, të cilat do të ndahen në katër grupe me nga tetë skuadra secili.

Formati?

Superliga parashikon të luhen 14 takime (7 në shtëpi dhe 7 jashtë fushë) në fazën e parë, të cilat do të luhen nga shtatori deri në prill. Sipas “A22 Sports Management” një sezon i Superligës do të ndahet në dy faza. Në fillim është sezoni i rregullt dhe më pas do të luhen finalet. Gara do të jetë e hapur për të gjithë dhe do të bazohet mbi meritat sportive si dhe do të ketë promovim dhe zbritje nga kategoria.

Si do të jetë rrugëtimi drejt finales?

Katër ekipet e para të grupeve të Star League dhe Gold League dhe dy ekipet e para të grupeve të Blue League, do të ndeshen me njëra–tjetrën në takime me sistem me eleminim direkt. Ndërsa finalja do të luhet në një fushë asnjanëse.

Si do të përzgjidhen ekipet në Superligë?

Sistemi “i hapur” i Superligës bën që në këtë kompeticion skuadrat pjesëmarrëse të jenë të ndryshme në vazhdimësi. Në ç’do sezon dy të fundit Star League dhe Gold League do të bien automatikisht nga kategoria dhe do të zëvendësohen nga fitueset e play-off të Gold League dhe Blue League.

Si do të futen ekipet në Superligë?

Në ç’do sezon 20 prej 32 skuadrave të Blue League do të dalin nga gara për t’i hapur vend 20 skuadrave të reja, të cilat do të vijnë nga garat kombëtare.

A zëvendëson Superliga garat kombëtare?

Sipas “A22 Sports Management”, Superliga do të jetë në përputhje me garat kombëtare dhe do të mbahet në mesjavë. /rtsh/

Share This