
Dështon sërish konstituimi i Kuvendit të Kosovës, LVV: Po krijohet bllokadë. Opozita: Nuk mund të na imponohen vendime
Seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka dështuar sërish, pavarësisht pranisë së 110 deputetëve në sallë. Kandidatja e Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, mori vetëm 54 vota pro, ndërsa 44 ishin kundër dhe 3 abstenuan, duke mos arritur shumicën e nevojshme për t’u zgjedhur.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi se seanca e radhës do të mbahet më 1 maj, në orën 10:00. Ky është dështimi i tetë radhazi për zgjedhjen e kryeparlamentares, ndërsa partitë politike vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën për bllokimin e procesit.
Përfaqësuesit e Vetëvendosjes fajësuan opozitën për krijimin e një situate bllokuese, ndërsa opozita akuzoi Vetëvendosjen për mungesë fleksibiliteti dhe tentim për të imponuar vendime.
“Të tri partitë më të mëdha që u takojnë të propozojnë kandidatët për nënkryetar të dakordohen në paketë me emrin e Albulena Haxhiut. Nëse insistohet nga opozita në këtë situatë, atëherë është një bllokadë që mund të zgjasë pafundësisht. Ne nuk jemi të interesuar për zgjedhje të reja, por jemi të gatshëm nëse s’ka rrugë tjetër”, tha deputeti i LVV-së, Hekuran Murati.
Nga ana tjetër, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, theksoi se “demokracia funksionon me shumicë, jo me imponim”, ndërsa Hykmete Bajrami, kryetare e Grupit Parlamentar të LDK-së, kritikoi ashpër Vetëvendosjen për situatën e krijuar.
“Kuvendi është shndërruar në një cirk. Është hera e gjashtë që Haxhiu nuk zgjidhet, por LVV vazhdon të insistojë. Ne njohim të drejtën e të parit për të propozuar, por jo për të na imponuar votën. Pengmarrja e institucioneve po i kushton qytetarëve”, tha ajo.
Përplasjet politike dhe mungesa e konsensusit po zvarrisin konstituimin e Kuvendit. /rtsh/