Dështon sërish konstituimi i Kuvendit, seanca vazhdon pas 48 orësh

Dështon sërish konstituimi i Kuvendit, seanca vazhdon pas 48 orësh

Ka dështuar edhe në përpjekjen e 11-të konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Në seancë të pranishëm ishin 111 deputetë, teksa kryesuesi Avni Dehari vendosi sërish në votim formimin e Komisionin për votim të fshehtë të kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

56 deputetë votuan për, 1 kundër, derisa s’pati abstenim. Deputetët e partive tjera nuk morën pjesë fare në votim.

Vazhdimi i seancës së sotme filloi me një minutë heshtje në nderim të gjithë atyre që kanë dhënë jetën për lirinë e Kosovës, me rastin e 5 majit – Ditës së Dëshmorëve.

Edhe këtë herë kryesuesi i seancës, Avni Dehari ka kërkuar nga partitë që nuk kanë propozuar një deputet për anëtar të Komisionit për votim të fshehtë të kryetarit të Kuvendit të Kosovës ta bëjnë një gjë të tillë. Por, edhe kësaj radhe asnjëra nga partitë nuk ka propozuar kandidat.

Më pas kryesuesi e vendosi formimin e Komisionit në votim, por edhe këtë herë nuk pati kuorum, raporton rtk.

Share This