Dështon edhe tentimi i dhjetë për konstituimin e Kuvendit

Dështon edhe tentimi i dhjetë për konstituimin e Kuvendit

Ka dështuar për herë të dhjetë konstituimi i legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari kërkoi nga subjektet politike që nuk propozuan kandidatë për Komisionin për votim të fshehtë në vazhdimin e seancës së kaluar ta bëjnë një gjë të tillë sot.

Por, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi i kërkoi kryesuesit që përkundër presionit të partisë së tij të mos bëhet pjesë e shkeljes së rregullores.

“Mos e bëni cirk Kuvendin”, tha ai teksa kryesuesi e paralajmëroi se nuk ka debat dhe ia ndali mikrofonin. LDK edhe këtë herë spati propozim, ashtu sikurse edhe Lista Serbe mbajti të njëjtin qëndrim dhe nuk propozoi kandidat.

Në sallë ishin të pranishëm 106 deputetë. Në votimin për komision 54 vota ishin për, 1 kundër dhe asnjë abstenim, por deputetët e tjerë nuk morën pjesë fare në votim.

Si rrjedhojë kryesuesi i kuvendit tha se është i obliguar që ta ndërpresë seancën për mungesë kuorumi. Ai tha se seanca vazhdon të hënën në orën 10:00, raporton rtk.

Share This