
Dështon arrestimi i liderit separatist serb, Dodik nga autoritetet boshnjake
Tensionet politike janë rritur sot në Bosnjë-Hercegovinë pas një përpjekjeje të policisë për të arrestuar liderin separatist serb të Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik, e cila thuhet se u pengua nga besnikët e tij.
“Një përpjekje e Agjencisë Shtetërore të Hetimit dhe Mbrojtjes (SIPA) për të arrestuar Dodik në një ndërtesë administrative në Sarajevën Lindore – e vendosur në Republikën Srpska (RS) të mbizotëruar nga serbët – u pengua dje në mbrëmje nga policia besnike e Dodik”, sipas gazetës boshnjake klix.ba.
Në mars, zyra e prokurorit të shtetit lëshoi urdhërarreste për Dodik, kryeministrin e RS Radovan Viskovic dhe kryetarin e parlamentit Nenad Stevandic.
Prokurorët e akuzojnë treshen për sulme ndaj rendit kushtetues të Bosnje-Hercegovinës.
Së fundmi, legjislatura e RS miratoi ligje për të rrëzuar autoritetin e gjykatave të shtetit qendror, prokurorëve dhe oficerëve të policisë federale nga territori i RS.
Dodik, i cili konsultohet rregullisht me presidentin rus Vladimir Putin, ka vite që po nxit shkëputjen e RS nga shteti boshnjak.
Bosnjë-Hercegovina, një ish-republikë jugosllave, u rithemelua si shtet sipas Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit pas luftës së viteve 1992-1995.
Që atëherë, dy pjesë të vendit, Republika Srpska dhe Federata Boshnjake-Kroate (FBiH), kanë gëzuar autonomi të gjerë. /atsh/