
Deschamps pas fitores ndaj Kroacisë: Ne besuam në këtë sukses
Trajneri i Francës, Didier Deschamps është shprehur i lumtur me fitoren kundër Kroacisë.
‘Gjelat’ të dielën mbrëma mundën Kroacinë pas penalltive duke siguruar kualifikimin në gjysmëfinalet e Ligës së Kombeve.
Kombëtarja franceze arriti një përmbysje të jashtëzakonshme ndaj Kroacisë, pasi kishte humbur 2-0 në ndeshjen e parë çerekfinale.
“Gjëja më e rëndësishme është se ne besuam në këtë sukses, edhe pas ndeshjes së parë që ishte një dështim me një rezultat të pafavorshëm”, tha Deschamps.
“Luajtëm një ndeshje të nivelit shumë të lartë kundër një ekipi shumë të fortë. Sigurisht, kombëtarja franceze ka lojtarë cilësorë, por ende kemi nevojë për më shumë përvojë, pasi kemi një skuadër të re”, ka theksuar strategu francez.
Franca tashmë synon të vazhdojë e sigurt drejt finales, me një skuadër të re dhe të talentuar, duke dëshmuar edhe një herë se është një nga ekipet më të forta në Evropë.