Dërguti: Sjellja e Kurtit ndaj LDK-së, tipike e një dhunuesi

Dërguti: Sjellja e Kurtit ndaj LDK-së, tipike e një dhunuesi

Analistja politike, Aida Dërguti, ka thënë se sjellja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, ndaj LDK-së është sjellje tipike e një dhunuesi apo e një abuzuesi.

Dërguti tha se ftesa e Kurtit për LDK-në ishte një bllof, teksa tha se gjatë gjithë historisë së bashkëpunimit VV-LDK, partia e Kurtit e ka sulmuar LDK-në

“Në historinë e bashkëpunimit me LDK-në, është VLAN-i, pastaj pas ndarjes nga VLAN-i, ku Isa Mustafa e formon qeverinë me PDK-në, është një dhunë e paparë, madje deri në oborrin e shtëpisë së tij. Ndërsa në një moment tjetër, pa kërkuar falje, duke iu drejtuar “i nderuar profesor”, sepse i nevojitej koalicioni”.

“Më vonë, pasi e merr Vjosa Osmanin dhe gjysmën e LDK-së dhe e krijon një carje aq të thellë, nëse ju kujtohet koha e pandemisë, qeveria e Avdullah Hotit, sulmet kanë qenë të jashtëzakonshme. Dhe tani në formën që i trajton duke i quajtur ‘bashkëpunëtorë të Vuciqi’ e deri në fund ku iu thotë ‘epoka e hajvanatit’”, tha Dërguti në Rubikon në Klan Kosova.

Tutje, ajo tha se për sjelljet e tij, Kurti s’ka nevojë për kërkim-falje, pasi kjo do të nënkuptonte diçka që s’përsëritet më.

“Pra, nuk ka nevojë për kërkim-falje, sepse kërkim-falja nënkupton diçka që s’përsëritet më, por ajo do të jetë rezerva që prapë në një moment mund ta përdorë”, tha ajo.

Share This