Derbi, vlerat përtej pikëve
Synimet e Partizanit dhe Tiranës në kampionat nuk do të ndryshojnë, pavarësisht rezultatit në përballjen e së shtunës.
Por vlerat e derbit shkojnë përtej pikëve dhe mund të ndikojnë për të ardhmen e skuadrave.
Cilido që të jetë rezultati, derbi i Tiranës nuk do të ketë ndikim në luftën për titullin kampion. Është vetëm java e gjashtë e kampionatit dhe Partizani me tetë pikë dhe Tirana me pesë do t’i kenë të gjitha mundësitë të synojnë për lart pavarësisht rezultatit të së shtunës. Aq më tepër që formula e kampionatit të jep mundësinë e titullit edhe duke dalë në vendin e katërt në fund të sezonit të rregullit. Përfitimet e një derbi kaq herët në kampionat shkojnë përtej tri pikëve të mundshme.
Është ndeshja që ndjehet më tepër për secilën prej skuadrave, nga lojtarët dhe tifozët, që një fitore kundër rivalit qytetas e kanë emocion e krenari. Pa dyshim që fitorja në derbin e së shtunës vlen për secilën, pikët e marra apo të lëna mund të rezultojnë përcaktuese kur bëhen llogaritë në fund, por suksesi do të vlente më shumë për moralin e sidomos qetësinë.
Për lojtarët, por në radhë të parë për trajnerët. Partizani dhe Tirana janë dy bankina të nxehta dhe rezultati në derbi mund të përcaktojë të ardhmen.
Fitorja do të siguronte qetësinë aq të nevojshme për të vazhduar, ndërkohë që edhe nga ana teknike mund të ndihmojë secilin prej trajnerëve në kolaudimin e formacionit, duke parë që asnjëra prej skuadrave nuk ka shkëlqyer në pesë javët e para në Abissnet Superiore.