Derbi ngjyroset me të kuqe
Është luajtur të enjten derbi i kryeqytetit midis Partizanit dhe Tiranës, një ndeshje, që ishte e vlefshme për javën e 6-të të Kategorisë Superiore, por ishte shtyrë dhe u luajt në Stadiumin “Arena Kombëtare” në kryeqytet.
Pjesa e parë ka folur më tepër për Partizanin, që ka bërë një vëllim më të madh loje, duke e rrezikuar në disa raste portën e Tiranës, e cila i është falur portierit të ri, Mustafë Abdullahut, që e ka mbajtur të paprekur portën e tij.
Por edhe bardheblutë i kanë patur momentet e tyre të rrezikshme, duke e vënë edhe ata në provë gardianin e portës së të kuqve, Alban Hoxhën, por, përtej përpjekjeve të të dyja skuadrave, 45 minutat e para u mbyllën sidoqoftë me rrjeta të paprekura.
Ato të dytat kanë dhuruar spektakël dhe drithërima, nga fillimi, deri në fundin e 9 minutave shtesë, teksa të dyja skuadrat e kanë kërkuar me ngulm golin, por Abdullahu në njërin krah për Tiranën bëhet pengesë për Partizanin dhe shtyllat e portës në krahun tjetër për të kuqtë u mohojnë golin bardhebluve në krahun tjetër. Dhe do të jetë Partizani që do ta gjejë golin në minutën e 77-të, kur Maget do ta kthejë topin me kokë në rrjetë pas një goditjeje këndi. Por, pikërisht në minutën e fundit të kohës së rregullt, Hasani do të godasë shpejt brenda zonës dhe do të përshëndesë rrjetën, duke barazuar kështu shifrat për Tiranën.
Por me aksionin e parë pas rifillimit të ndeshjes, një goditje diagonale e Kekos do të devijohet në portë nga Mensah, që i ka rikthyer përsëri në epërsi të kuqtë e kryeqytetit.
Edhe pse bardheblutë kanë provuar deri në fundin e 8 minutave shtesë, madje edhe me Abdullahun që ndalet nga homologu Hoxha, Partizani ka triumfuar në derbin e parë ndaj Tiranës, duke e mundur me shifrat 2-1 dhe duke u ngjitur në vendin e dytë të renditjes, në kuotën e 14 pikëve, një më tepër sesa rivalja kryeqytetase, që ka luajtur edhe një ndeshje më tepër.