“Derbi” me Juven në merkato, Interi përgatit planin për 28-vjeçarin spanjoll
Mario Hermoso është një nga objektivat e Interit për merkaton verore.
Qendërmbrojtësi ndodhet në vitin e fundit të kontratës me Atletico Madrid, teksa deri tani ka refuzuar propozimet e rinovimit.
28-vjeçari do të largohet si lojtar i lirë në fundin e sezonit nga skuadra e Diego Simeones pas 5 viteve të kaluara te “Colchoneros”.
E ardhmja e tij është e ndarë mes Italisë, Anglisë dhe Arabisë Saudite. Marotta po punon për ta vendosur nën urdhrat e Simone Inzaghit, por kujdes nga Juventusi.
Edhe bardhezinjtë janë të interesuar për shërbimet e lojtarit të prapavijës, i cili përveç qendrës mund të bëjë edhe rolin e mbrojtësit të majtë.
Në ishull e kërkon West Hami, teksa Hermoso pëlqehet edhe nga disa klube saudite. Gjithsesi, Interi ka gati një ofertë për ta bindur të transferohet në Milanon zikaltër.
Kampionët e ardhshëm të Italisë, do t’i ofrojnë mbrojtësit iberik një kontratë deri në 2029 me pagë sezonale 5 milionë euro + bonuse.