Derbi italian dhe Liverpool-Atalanta, Europa League premton spektakël në çerekfinale
Milani dhe Roma përballen në një çerekfinale tërësisht italiane në “San Siro”, aty ku dy skuadrat do të sfidohen në aktin e parë të një dueli që zgjat 180 minuta dhe pas të cilit vetëm njëra do të vazhdojë ëndrrën për të fituar Europa Leaguen.
Dy skuadrat vijnë në një formë mjaft të mirë muajt e fundit, çka është reflektuar te rezultatet pozitive në kampionat, por edhe te ecuria në Europë, teksa goglat i vunë përballë njëra-tjetrës për të ofruar një derbi italian në Europë.
Milani i Piolit ka marrë vendin e dytë në kampionat dhe po bën maksimumin për t’i shtyrë festën e titullit Interit, teksa Europa League mbetet objektivi i vetëm ende në lojë këtë sezon.
Kuqezinjtë shpresojnë shumë te portugezi Rafael Leao, që duket se ka rilindur javët e fundit dhe po merr për dore skuadrën në fushë, teksa edhe amerikani Pulisiç po kalon një formë të shkëlqyer dhe është shndërruar në garanci, në repartin e avancuar.
Nga ana tjetër De Rossi do të ketë në dispozicion artilerinë e rëndë për këtë takim, me Dybalën dhe Lukakun që pritet ta nisin nga fillimi dhe të provojnë të udhëheqin verdhekuqtë drejt gjysmëfinales së Europa Leagues.
Një tjetër përballje interesante është ajo e “Anfield Road”, ku Liverpooli do të presë Atalantën e Gasperinit, një skuadër modeste në letër, por e aftë të bëjë surpriza të mëdha në fushën e lojës.
Natyrisht anglezët shihen si favoritët kryesorë për të avancuar më tej në gjysmëfinale, megjithatë dueli për titullin në Premier League mund t’u heqë energji dhe fokus djemve të Jurgen Klopp, çka mund të shfrytëzohet nga Atalanta për të qenë ajo skuadra që do të vazhdojë ëndrrën europiane.
Dy çerekfinalet e tjera janë Bayer Leverkusen-West Ham dhe Benfica-Marseille, teksa të katër takimet startojnë në orën 21:00 dhe transmetohen live dhe ekskluzivisht në ekranin e SuperSport…