Deputetja e LV-së i bashkohet LDK-së
Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, nga e premtja është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Millaku po i bashkohet familjes së tyre politike në rrugëtimin e përbashkët që i pret.
“Ky vendim i saj për të qenë pjesë e radhëve tona është jo vetëm një dëshmi e përkushtimit të saj politik, por gjithashtu një tregues i qartë se vizioni dhe programin i LDK-së për Republikën, është i duhuri sot”, ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”.
Ai ka thënë se Millaku është një figurë e respektuar në Prizren dhe një deputete e mandatuar për dy herë, ajo vjen si aset i rëndësishëm partiak, dhe si kuadër për programin politik të LDK-së dhe të ardhmen e vendit tonë.
“Me Dritën kemi diskutuar gjatë për vizionin tonë të përbashkët për Republikën; për arsimin në veçanti, për programin tonë politik dhe të ardhmen e vendit tonë. Drita ka një pasion për librin, por edhe për të krijuar mundësi për të rinjtë dhe gratë në Kosovë. Ajo e kupton rëndësinë e bashkëpunimit dhe e sheh ndërtimin e një rrugëtimi të përbashkët si një mënyrë për të realizuar ndryshime të qëndrueshme, ato që sot LDK po i ofron. Besimi i saj në potencialin e Kosovës, së bashku me përkushtimin e saj për arsim janë motive që e bëjnë Dritën tejet të rëndësishme në këtë proces”, ka thënë Abdixhku.