
Dënohen me burgim të përjetshëm dy persona, dhanë bombën që vrau gazetaren, Daphne Caruana Galizia
Dy persona u dënuan me burgim të përjetshëm sot, pasi u shpallën fajtorë për bashkëpunim në vrasjen e gazetares investigative malteze, Daphne Caruana Galizia. Jamie Vella dhe Robert Agius ishin akuzuar për furnizimin me bombën që shpërtheu makinën e Caruana Galizia. Ata u shpallën fajtorë për akuzat javën e kaluar dhe sot iu dha dënimi maksimal.
Daphne Caruana Galizia, 53 vjeçe, u vra më 16 tetor 2017, nga një makinë-bombë që shpërtheu ndërsa ajo po ngiste makinën pranë shtëpisë së saj. Gazetarja njihej për shkrimet e saj të gjera rreth korrupsionit të dyshuar në qarqet politike dhe të biznesit në Maltë. Vrasja e saj tronditi Evropën dhe shkaktoi protesta të zemëruara në Maltë. Në kohën e vdekjes, ajo përballej me më shumë se 40 padi për shpifje.
Gjyqi gjashtë-javor përfshiu gjithashtu dhe vrasjen e veçantë të avokatit Carmel Chircop, i cili u qëllua për vdekje në vitin 2015. Dy burra të tjerë, George Degiorgio dhe Adrian Agius, u dënuan javën e kaluar me burgim të përjetshëm për atë vrasje.
Ky vendim vjen pas disa dënimesh të tjera lidhur me vrasjen e Caruana Galizia:
George Degiorgio dhe vëllai i tij, Alfred Degiorgio, pranuan fajësinë në vitin 2022 për kryerjen e vrasjes së Caruana Galizia dhe secili prej tyre u dënua me 40 vjet burg.
Një burrë i tretë, Vincent Muscat, u deklarua fajtor në vitin 2021 për rolin e tij në vrasjen e Caruana Galizia dhe u dënua me 15 vjet burg. Ai dëshmoi në gjyqin e fundit me juri, pasi iu dha një falje presidenciale për rolin e tij në vrasjen e Chircop, me kusht që të tregonte të gjithë të vërtetën.
Ndërkohë, Yorgen Fenech, një biznesmen i shquar maltez, aktualisht është i liruar me kusht në pritje të gjyqit nën akuzat për bashkëpunim të dyshuar në vrasjen e Caruana Galizia.
Ky dënim shënon një hap tjetër drejt vendosjes së drejtësisë për vrasjen e një figure thelbësore të gazetarisë investigative në Maltë, një rast që ka ngjallur shqetësim të madh ndërkombëtar. AP