Dembele, kundër së shkuarës: Ndeshje e madhe, kam folur me Kounde dhe Gavin…
Ndeshja mes Paris Saint-Germain dhe Barcelonës po afron. Mbrëmjen e së mërkurës, në “Parc des Princes”, skuadra e Luis Enrique do të presë “blaugranat” në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Net “yjesh”, por edhe kryqëzimesh të shumta. Janë disa lojtarë që fillimisht kanë veshur fanellën e Barcelonës dhe më pas atë të kuqebluve, duke nisur nga vetë trajneri. Më pas është edhe Ousmane Dembélé, ish-i i mbrëmjes, i gatshëm për t’u përballur me katalanasit.
Sulmuesi i kampionëve të Francës komentoi për UEFA TV emocionet e takimit me ish-skuadrën e tij:
“Është e mrekullueshme të luash sërish në Barcelonë dhe Spanjë. Mendoj se do të jetë një ndeshje e mirë futbolli”.
Anësori francez pranoi se ka pasur mundësinë të fliste për këtë ndeshje të dyfishtë kundër Barcelonës me disa nga ish-shokët e tij të skuadrës:
“U takova me Jules Koundé në kombëtaren franceze dhe, si gjithmonë, bëmë shaka. Por do të jetë ndeshje e mrekullueshme. Kam kontaktuar edhe Gavin, ndonëse ai tani është i lënduar. Ne shpesh flasim para ndeshjeve.”