Deliu-Kodra për zhdukjen e pasaportave dhe letërnjoftimeve: Tenderi ishte dhënë me çmim katërfish më të shtrenjtë – sa të paaftë

Deliu-Kodra për zhdukjen e pasaportave dhe letërnjoftimeve: Tenderi ishte dhënë me çmim katërfish më të shtrenjtë – sa të paaftë

Deputetja nga radhët e PDK’së, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar lidhur me skandalin në MPJD, ku qindra pasaporta dhe letërnjoftime janë zhdukur.

Deliu-Kodra ka thënë se ky tender ishte dhënë me çmim katërfish më të shtrenjtë, shkruan Reporteri.net.

“406 pasaporta, 165 letërnjoftime dhe 4 vendime për shtetësi të mërgimtarëve – të humbura. Tenderi ishte dhënë me çmim katërfish më të shtrenjtë. A ka ndonjë ministër që din me ba punën qysh duhet në këtë Qeveri? Mos u përgjigjni: këto skandale që po dalin çdo ditë dhe nga secila derë institucionale, na e jepin përgjigjen më së miri. Sa të paaftë”, ka shkruar ajo.

Gazeta online Reporteri.net ka siguruar vendimin për ndërprerjen e kontratës, ku përmendet se 406 pasaporta, 165 letërnjoftime dhe 4 vendime për lirim/fitim shtetësie s’kanë arritur në destinacione. Për këto dokumente Reporteri.net mëson se janë zhdukur.

Kontrata e shërbimeve postare diplomatike, me numër 216-23-13152-2-1-1, u ndërpre zyrtarisht pas pranimit të rekomandimit nga menaxheri i kontratës, i cili e dërgoi  një rekomandim tek Departamenti i Prokurimit, duke argumentuar se operatori ekonomik ka dështuar në përmbushjen e afateve kohore të përcaktuara në kontratë.

Në këtë dokument thuhet se një nga shkeljet më të mëdha ishte mosrespektimi i afateve kohore për dërgesat diplomatike.

“Dërgesat e para nuk arritën brenda afatit të specifikuar prej 24-48 orësh në Zonën 1. Kjo shkelje e vazhdueshme u shoqërua me paralajmërime nga menaxheri i kontratës, i cili më 26 qershor 2024 dërgoi një vërejtje me shkrim ndaj operatorit. Edhe pse operatori u paralajmërua, një dërgesë tjetër, e nisur më 3 korrik 2024, përsëri nuk arriti në destinacion brenda kohës së caktuar. Kjo përkeqësoi situatën dhe vërejtja e parë me shkrim u dërgua zyrtarisht më 5 korrik 2024”, thuhet në vendim.

Kostoja totale e kontratës ishte 250,000 euro, ndërsa deri në ndërprerje ishin kryer pagesa prej 22,177.78 euro për periudhën qershor-shtator”, thuhet në vendimin për ndërprerje të kontratës.

Ndërprerja e kontratës erdhi pas një periudhe të gjatë ankimimesh nga qytetarët dhe përfaqësitë diplomatike të Kosovës për vonesat dhe cilësinë e dobëta të shërbimeve.

Share This