Del Piero vlerëson Alajbegoviqin: Në perspektivë është prurje e madhe

Del Piero vlerëson Alajbegoviqin: Në perspektivë është prurje e madhe

Legjenda e Juventusit, Alessandro Del Piero, ka vlerësuar lëvizjet e fundit të klubit bardhezi në tregun e futbollistëve, duke veçuar rikthimin e Randal Kolo Muanit dhe transferimin e talentit të ri Kerim Alajbegoviq.

Në një prononcim për “Sky Sport” pas miqësores së Juventusit me Interin në Perth, Del Piero tha se rikthimi i Kolo Muanit është pritur me entuziazëm, ndërsa për Alajbegoviqin shprehu pritshmëri të mëdha.

“Fakti që Kolo Muani ka bërë tashmë mirë, është ndier mirë, madje edhe rikthimi i tij është pritur me entuziazëm të madh, është i qartë për të gjithë. Ndërsa për këtë talentin e ri që kemi (Alajbegoviqin), para së gjithash më bën shumë të lumtur sepse është një djalosh që ka cilësi të mëdha dhe pastaj sepse është shumë i ri. Prandaj, në perspektivë, është diçka e madhe, le ta themi kështu, në një moment kur gjithmonë e kemi të vështirë të gjejmë talente që vijnë në kampionatin italian, sepse na i marrin të gjithë.

Shpresojmë që të bëjë mirë, që të ketë kohë të rritet, që të mos vihet shumë shpejt nën presion, sepse nuk ka kuptim, dhe që të përshtatet mirë me skuadrën”, deklaroi Del Piero.

Duke folur për ndërtimin e ekipit për sezonin e ri, Del Piero vlerësoi edhe vazhdimësinë në skuadër dhe në stafin teknik.

“Ka vazhdimësi në krahasim me sezonin e kaluar, si sa i përket skuadrës, ku nuk ka pasur shumë ndryshime, ashtu edhe sa i përket stafit”, tha ai.

Sipas Del Pieros, kjo vazhdimësi mund të jetë një aspekt pozitiv për Juventusin, edhe pse sezoni do të jetë i ngarkuar për shkak të udhëtimeve të shumta dhe vështirësive për të zhvilluar gjithmonë përgatitje optimale fizike e taktike.

Share This