
Deklarata e Maqedoncit për fabrikën e municioneve, Çitaku: S’di nëse duhet të qeshësh apo të qash
Sekretarja e Përgjithshëm e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pasi ministri në detyrë e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, gjatë një vizite në Tajvan ka kritikuar Evropën për dështim në fushën e mbrojtjes.
Ajo ka bërë me dije se adresimi i Mqedoncit, ku tha se Franca s’ka fabrikë municioni, ishte qesharak
Në profilin e saj në “Facebook”, Çitaku ka shkruar se në këtë rast ministri i Mbrojtjes ka treguar papërgjegjësi.
“Pra, ministri i Mbrojtjes, ende në detyrë, ka vizituar Tajvanin dhe ka mbajtur një fjalim që, në rrethana të tjera, mund të na dukej qesharak po të vinte nga dikush pa peshë dhe përgjegjësi politike. Por kur një ministër, i cili drejton një prej dikastereve më të ndjeshme të Republikës, viziton një vend me të cilin nuk kemi marrëdhënie diplomatike për arsye të njohura dhe aty flet për dështimin e Evropës në fushën e mbrojtjes, ndërsa pretendon se Kosova do të ndërtojë një fabrikë që as Franca – eksportuesja e dytë më e madhe në botë e armatimit – nuk e ka, atëherë s’di nëse duhet të qeshësh apo të qash.Çfarë diletantizmi, çfarë papërgjegjësie!”, ka shkruar Çitaku.