‘Defender Europe 25’ nis të dielën, forcat aleate të NATO-s zhvillojnë stërvitje në Shqipëri dhe Kosovë

‘Defender Europe 25’ nis të dielën, forcat aleate të NATO-s zhvillojnë stërvitje në Shqipëri dhe Kosovë

Më 25 maj Shqipëria do të mirëpresë njërën nga stërvitjet më të mëdha ushtarake shumëkombëshe në Evropë, të njohur si “Defender Europe 25”.

Kështu ka njoftuar ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, i cili ka theksuar se kjo stërvitje do të jetë nën drejtimin e Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara (USEUCOM).

Në kuadër të kësaj stërvitjeje të përbashkët, forcat e NATO-s dhe shteteve partnere do të angazhohen në ushtrime ushtarake në territorin e Shqipërisë dhe Kosovës, me fokus në disa skenarë operativë jetikë për sigurinë rajonale dhe aleate.

“Më 25 maj, Shqipëria mirëpret një nga stërvitjet më të mëdha ushtarake shumëkombëshe: ‘Defender Europe 25’, e drejtuar nga Komanda Evropiane e ShBA (USEUCOM). Forcat e NATO-s dhe partnere do të stërviten në Shqipëri dhe Kosovë për mbrojtjen e objekteve kritike, operacione sulmuese dhe mbrojtëse, si dhe për sigurinë në pika kyçe dislokimi”, ka shkruar Vengu në “Facebook”.

Ministri ka shtuar se ky është një test i ndërveprueshmërisë dhe një mesazh i qartë se NATO është e bashkuar.

Stërvitja “Defender Europe” organizohet çdo vit nga ushtria amerikane në bashkëpunim me aleatët e NATO-s dhe ka për qëllim forcimin e gatishmërisë ushtarake, rritjen e besueshmërisë strategjike dhe garantimin e sigurisë kolektive në rajon.

Share This