
Defender Europe ‘25, Kurti përgëzon pjesëtarët e FSK-së
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Mbrojtjes në detyrë, Ejup Maqedonci, dhe komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilluan sot një vizitë në aktivitetet e ushtrimit shumëkombësh “Defender Europe 25” (DE/IR25), të zhvilluara në poligonin trajnues në Devë.
Gjatë vizitës, përfaqësuesit e lartë institucionalë u njohën nga afër me angazhimin dhe kontributin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila luan një rol të rëndësishëm si nikoqire e këtij ushtrimi të madh ushtarak ndërkombëtar. Ata vizituan Post-Komandën Taktike të Divizionit të 28-të të Ushtrisë Amerikane, Kontrollën e Lartë të Ushtrimit si dhe Kampin Taktik, njofton zyra për informim e FSK-së përmes një postimi në Facebook.
Bëhet e ditur se me këtë rast, u theksua bashkëpunimi i ngushtë dhe efikas mes FSK-së dhe Divizionit të 28-të të Ushtrisë Amerikane, një partneritet strategjik që promovon paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
Gjithashtu, u vlerësua kontributi i partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, përfshirë forcat nga shtetet anëtare të NATO-s dhe partnerë strategjikë, në ndihmë të ngritjes së kapaciteteve operacionale dhe gatishmërisë së FSK-së, raporton rtk.
Në përmbyllje të vizitës, ata përgëzuan pjesëtarët e FSK-së dhe trupat aleate për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë ushtrimit. Ata theksuan se “Defender Europe 25”, si një ndër stërvitjet më të mëdha ushtarake në Evropë, përbën një mundësi të jashtëzakonshme për avancimin e aftësive mbrojtëse të Kosovës dhe forcimin e partneriteteve ndërkombëtare në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.