
Deco, mesazh Juves: Araujo i lumtur te Barça, nuk është në shitje
Deco, drejtori sportiv i Barcelonës, foli për Sport dhe iu përgjigj pyetjes së një blerjeje të mundshme të Jonathan Tah nga Leverkusen gjatë verës: “Ajo që duhet të bëjmë tani është të qetësohemi pak pas merkatos. Duhet të mbajmë këmbët në tokë, të analizojmë se çfarë na ka ndodhur, vështirësitë që kemi pasur, nëse do t’i kemi në të ardhmen dhe çfarë mund të bëjmë”.
“Ne e njohim skuadrën që kemi sot, ka shumë gjëra që ndryshojnë, për shembull rasti i Eric Garcias. Ka shumë variabla që nuk mund t’i kontrollojmë, por ideja është aty dhe ne e dimë se çfarë duam. Nëse pyetja i referohet faktit që kemi katër qendërmbrojtës, do të jetë e vështirë të sjellim diçka, kjo është e vërtetë”.
A mund të ishte menduar një transferim i Araujo në janar? Mbrojtësi uruguaian ka qenë prej kohësh i lidhur me Juventusin.
“Nuk kemi dashur asnjëherë ta shesim. Ai është i lumtur këtu. Nëse në të ardhmen, për ndonjë arsye do të ketë nevojë për ndryshim, ai e ka derën të hapur për të na thënë. Por nuk mendoj se është ajo çfarë dëshiron, përndryshe nuk do të kishte rinovuar”.