Debutoi në rolin e ri te Kosova, Ujkani: Emocionet ishin të jashtëzakonshme
Samir Ujkani ka debutuar mbrëmjen e së dielës në rolin e drejtorit sportiv të përfaqësueses së Kosovës.
Në një postim në rrjetet sociale, ish-portieri shkruan se ndjehet shumë i lumtur për këtë detyrë të re që i është besuar, ndërsa falënderon tifozët “dardanë” për mbështetjen e treguar.
“Mbrëmë nisa një rrugë të re në karrierën time në futboll. Për herë të parë isha në bankën e Kombëtares së Kosovës, jo si futbollist por në një pozicion tjetër, prandaj emocionet ishin të mëdha e të jashtëzakonshme. Mbrëmja u bë edhe më e veçantë nga nderimi që mora nga tifo-grupi ynë “Dardanët” të cilët dua t’ i falënderoj përzemërsisht. Fitorja ndaj Izraelit e bëri më të ëmbël “debutimin” tim në një rol tjetër, prandaj do ta mbaj në mend përgjithmonë. Në fund dua që edhe një herë t’ i falënderoj të gjithë futbollistët e ekipit kombëtar për sakrificën, angazhimin, punën dhe triumfin e përbashkët. Sfida të reja na presin të gjithëve së bashku! Përjetësisht mirënjohës”, shkruan Samir Ujkani.