Debutimi në ‘Santiago Bernabeu’ me gol në kohën shtesë – Bellingham thotë se iu dridhen këmbët kur dëgjoi emrin e tij
Nuk kishte mënyrë më të mirë për të debutuar para tifozëve Los Blancos se sa me gol në minutën 95-të dhe të dëgjonte tifozët duke e thirrur emrin e tij.
Debutimi i Jude Bellingham në ‘Santiago Bernabeu’ shkoi si është më së miri, pasi Real Madridi luante në shtëpi pas tri ndeshjeve radhazi në La Liga si mysafir, duke mposhtur Getafen me rezultat 3-2.
Nënshkrimi i ri i Real Madridit u dha fitoren mbretërve, duke i mbajtur në krye të renditjes me pikë të plota pas katër ndeshjesh.
Kur u duk se ndeshja po përfundonte në barazim, anglezi u rishfaq për të marrë një top në zonë dhe për t’i dhënë fitoren ekipit të tij.
Ai ka folur pas ndeshjes, duke thënë se i janë dridhur këmbët kur dëgjoi të thirrej emri i tij nga tifozët.
“Momenti i golit ishte më i zhurmshmi që kam dëgjuar ndonjëherë në një fushë futbolli. Nuk mund ta besoj”.
“Kur kënduan “Hey Jude” në fund, doja të ndaloja dhe të dëgjoja. Më dridheshin këmbët . E di që klubi nënshkroi me mua për momente të tilla. E di që mund ta bëj. Më duhet të vazhdoj”, ka thënë Bellingham.
Bellingham ka shënuar pesë gola deri më tani, ndërsa ka shtuar edhe një asistim. /telegrafi