
De Bruyne afër transferimit te Napoli
Mesfushori belg i Manchester City-t, Kevin De Bruyne raportohet se është gjithnjë e më pranë transferimit në Serie A.
Sipas “La Gazzetta dello Sport”, belgu është i gatshëm të pranojë një ulje të ndjeshme të pagës për të kaluar te Napoli gjatë afatit kalimtar të kësaj verë.
Klubi italian thuhet se është gati t’i ofrojë De Bruyne një kontratë dyvjeçare me vlerë rreth 6 milionë euro në sezon, një shumë shumë më e ulët krahasuar me 20 milionë eurot që ai përfiton aktualisht në Premier League.
Sipas “Daily Mail”, spekulimet për këtë transferim janë përforcuar edhe më shumë pas raportimeve se bashkëshortja e tij, Michele, është parë duke kërkuar shtëpi në Napoli.
Çifti është i lidhur me zonën, pasi është martuar në Sorrento, një qytet piktoresk në bregdetin e Napolit – çka e bën këtë destinacion të preferuar për të kaluar vitet e fundit të karrierës.
De Bruyne iu bashkua Manchester City-t në vitin 2015 nga Wolfsburg për një shumë prej 54.5 milionë paund dhe që atëherë ka fituar çdo trofe të madh nën drejtimin e Pep Guardiolës.
Por pas një dekade të artë në “Etihad”, duket se aventurës së tij në Angli po i vjen fundi.
Një kalim në Serie A, veçanërisht në Napoli, do të ishte një tjetër kapitull i rëndësishëm në karrierën e një prej mesfushorëve më të mirë të brezit të tij.