DASH: Kasanof, i përkushtuar për integrimin euroatlantik të Ballkanit
Zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, do të mbikëqyrë politikën amerikane për këtë rajon, e cila ka në thelb mbështetjen e tij në rrugën drejt integrimit evropian dhe anëtarësimit në institucionet euroatlantike.
“Politika jonë promovon bashkëpunimin rajonal ekonomik dhe reformat që do të sjellin paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe prosperitet në rajon. Ne do të vazhdojmë të punojmë me shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe partnerët tanë evropianë për t’i avancuar këto qëllime gjatë udhëheqjes së Kasanofit”, ka theksuar zëdhënësi i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.
Sipas zëdhënësit së DASH-it, Kasanof do të angazhohet nga afër edhe me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë dhe me partnerët evropianë, “në rrugën drejt arritjes së një marrëdhënieje të normalizuar, paqësore dhe produktive midis dy vendeve”.
Kasanof mori postin e zëvendësit të ndihmësit të sekretarit për Ballkanin Perëndimor më 19 korrik të këtij viti. Paraprakisht, në këtë post ishte Gabriel Escobar, mandati i të cilit përfundoi në maj. /rel/