Darkë e përbashkët e FFK-së me klubet, presidenti Ademi u ofron mbështetje në çdo aspekt
Pas ndeshjes së Superkupës, Ballkani – Prishtina, Federata e Futbollit e Kosovës organizoi darkë të përbashkët me të gjitha klubet që po qëndrojnë në fazën përgaditore në Antalia.
Gjatë kësaj darke, presidenti Agim Ademi, ua uroi drejtuesve të klubeve fillimin e vitit, duke ju dëshiruar suksese në futboll dhe që t’i arrijnë objektivat e planifikuara, si me klube ashtu edhe me bizneset dhe familjet e tyre.
I pari i FFK-së lavdëroi klubet për organizimin e tyre profesional e ekonomik dhe uroi që ato sa më shpejt të organizojnë edhe infrastrukturën administrative dhe teknike. Ademi tha se ngritja profesionale dhe rezultatet e Ballkanit dhe klubeve të tjera që ishin në Evropë kanë bërë që liga jonë të jetë më e ranguara në rajon, e kjo siç tha ai, sjellë edhe më shumë të mira materiale për klube dhe sidomos për futbollistët, ngase liga jonë tashmë është një ndër ligat më të monitoruara nga menaxherët dhe klubet e interesuar për futbollistët tanë.
Kreu i FFK-së shprehu shpresën që sa më shumë futbollistë të transferohen në ligat evropiane dhe klubet tona të krijojnë sa më shumë futbollistë të rinj të gatshëm për tregun evropian. Ai u siguroi mbështetje dhe përkrahje klubeve në çdo aspekt, për ato mundësi që janë në dorën e FFK-së, si dhe u garantoi rregullsi në gara dhe uroi që të kemi një kampionat sa më ‘fair-play’. Presidenti Ademi edhe një herë ritheksoi se FFK është në dispozicion të klubeve 24/7 dhe se çdo anëtar përfaqësues i tyre në KE dhe LRF-të do të jenë gjithmonë afër tyre për të adresuar çfarëdo preokupimi apo nevoje.
Në fund, Ademi i uroi përfaqësuesit e klubeve për një vit të mbarë e të suksesshëm, teksa fjalimi i tij u përcoll me duartrokitje nga të gjithë pjesëmarrësit.