
Dardanët mposhtin Moldavinë, Morina i kënaqur me paraqitjen e ekipit
Kombëtarja e Kosovës U17 ka shënuar fitore në ndeshjen e dytë në kuadër të Grupit B4 në raundin e dytë kualifikues të Ligës B për Kampionatin Evropian 2025.
Pas barazimit pa gola ndaj Andorrës, Dardanët e rinj të udhëhequr nga përzgjedhësi Arbnor Morina arritën të mposhtin Moldavinë, me rezultat të ngushtë, 1:0.
Golin e vetëm në këtë ndeshje e realizoi Rin Ahmeti, në minutën e 41-të. Edhe në ndeshjen e sotme Kosova e mbizotëroi lojën dhe pati më shumë iniciativë drejt portës kundërshtare, teksa edhe moldavët patën një mundësi të mirë shënimi, por nuk arritën ta konkretizojnë me gol.
Pas ndeshjes, Morina u shpreh i kënaqur me paraqitjen e ekipit.
“Sikurse edhe në takimin e parë iniciativë e plotë e ekipit tonë dhe lojë e mirë e djemve tanë. Mirëpo, për dallim nga ndeshja e parë, sot mundi i tyre u shpagua me golin e shënuar. Krahas golit kishim edhe disa raste që nuk i konkretizuam. Por, duhet të jemi real sepse edhe kundërshtari e pati një rast të mirë, të cilin nuk e shfrytëzoi. Sidoqoftë, në përgjithësi jam i kënaqur, sepse djemtë tanë kanë qenë shumë të angazhuar si në ndeshjen e parë, ashtu edhe sot”, ka theksuar përzgjedhësi Arbnor Morina.
Ndeshjen e fundit në këtë fazë, Kosova e zhvillon kundër Qipros, nikoqire, më 13 mars.