Dardanet fitojnë kundër Hong Kongut në Alanya
Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave e ka nisur me fitore turneun “Turkish Women’s Cup” në Alanya të Turqisë.
Dardanet kanë regjistruar një fitore të sigurt, ndonëse me rezultat të ngushtë, 1:0, në ndeshjen e parë kundër Hong Kongut.
Edhe pse ka dominuar plotësisht në fushë dhe ka krijuar raste të shumta, Kosova ka realizuar vetëm një gol.
Ishte Elizabeta Ejupi, e cila realizoi golin e fitores për të përzgjedhurat e Anneli Andersen, në minutën e 78-të.
Kësisoj, Dardanet e kanë vazhduar serinë pozitive, pasi në fund të vitit të kaluar kanë avancuar në Ligën B të Ligës së Kombeve.
Në ndeshjen e radhës në kuadër të turneut në Alanya, Kosova do të përballet me Estoninë, më 24 shkurt, derisa më 27 shkurt do të ndeshet me Indinë.