Dalin në shitje biletat e koncertit “Ramë Lahaj & Friends”
Kanë dalë në shitje biletat për gala koncertin “Ramë Lahaj & Friends” me “Tre tenorët” në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, e cila do të mbahet më 2 gusht.
Biletat mund të sigurohen me rezervime digjitale ose në pikat e shitjes në Pejë, Prizren e Prishtinë.
“Në skenën e ngritur në zemër të kryeqytetit tenori kosovar i skenave botërore, Ramë Lahaj do të shoqërohet nga Charles Castronovo, i njohur ndërkombëtarisht si një nga tenorët më të mirë të brezit të tij, si dhe Murat Karahan, yll i njohur i operas, i njohur për repertorin e larmishëm me mbi 50 role kryesore në gjithë botën, i vlerësuar si ‘Artisti më i Suksesshëm Operistik i Vitit”, njoftojnë organizatorët për mbrëmjen kryesore të edicionit të katërt të festivalit.
Tre tenorët do të shoqërohen në skenë nga Orkestra e Operas së Kosovës, udhëhequr nga Maestro Sascha Goetzel, dirigjenti i mirënjohur për bashkëpunimet me orkestra prestigjioze në gjithë botën.
Edicioni i katërt i RLIOF i cili do të mbahet mes datave 21 korrik dhe 2 gusht, do të përfshijë organizimin e ekspozitës, masterklasës dhe pesë mbrëmje muzikore.
Festivali do të hapet me mbrëmjen “Nexhmije Pagarusha” dedikuar muzikës shqipe. Pjesë e programit janë edhe mbrëmjet muzikore “Opera Night”, “Ensemble Evening” dhe “New Generation”. Sipas njoftimit të RLIOF, ky edicion është i frymëzuar nga kujtimet e tenorit Ramë Lahaj, i rritur me këngët e njohura të muzikës shqipe, të cilat i këndonte nën urimin e nënës ‘T’knoft zemra’. /rtk