
Dalin në shitje biletat e finales së Kupës së Kosovës
Prishtina dhe Llapi do të përballen në finalen e madhe të Kupës së Kosovës, e cila do të luhet më 22 maj në ‘Fadil Vokrri’.
Federata e Futbollit e Kosovës, të mërkurën ka bërë më dije se tashmë biletat për këtë ndeshje kanë dalur në shitje.
“Federata e Futbollit të Kosovës njofton opinionin se biletat për finale e Kupës së Kosovës, e cila do të zhvillohet ndërmjet FC Prishtina – KF Llapi 1932, më datë 22 maj 2025, në orën 20:00, në stadiumin “Fadil Vokrri”, sapo kanë dalë në shitje”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Sipas këtij njoftimi, ato mund t’i blini përmes platformës online në linkun e mëposhtëm:
https://eu.ebileta.al/biglietteria/listaEventiPub.do
“Çmimet e biletave janë si në vijim: Veri dhe Jug 3 euro, Lindje 5 euro, Perëndim 10 euro dhe VIP 30 euro. Tifozët e organizuar të Prishtinës “Plisat” do të jenë në tribunën e jugut, derisa ata të Llapit “Legjendat” në atë të veriut”, thuhet më tutje në njoftimin e FFK-së.
Një person mund të blejë deri në katër bileta.
Procedura se si blihet bileta online:
Fillimisht ju duhet të regjistroheni në platformë.
Mandej zgjidhni tribunën e stadiumit dhe më pas e selektoni ulësen e preferuar.
Pasi t’i zgjedhni biletat, vazhdoni me pagesën online.
Pasi të përfundon blerja online, ju duhet të pritni deri të gjenerohet Bileta si dhe Fatura juaj.
Biletën do ta pranoni gjithashtu në email (kontrolloni edhe folderin SPAM gjithashtu).
Bileta patjetër duhet të jetë e printuar në formatin A4, printimi duhet të jetë i kualitetit të lartë.
Biletat janë të personalizuara (Në stadium mund të hyjë vetëm një person me një biletë pa marrë parasysh moshën).
Shënim: Personat që rastësisht pas blerjes së biletës nuk e marrin atë nëpërmjet emailit, atëherë atë mund ta gjejnë përmes kodit në linkun e mëposhtëm:
https://eu.ebileta.al/biglietteria/trans/restore.do