“Daja Vanja”, drama e Teatrit të Shkupit në ArTurbina
Në kuadër të Javës së Teatrove të Maqedonisë së Veriut në Tiranë, sot në ArTurbina vjen “Daja Vanja”, një dramë e sjellë nga Teatri Shqiptar i Shkupit, bazuar mbi veprën e Anton Çehovit.
“Daja Vanja” vjen me regjinë e Vladimir Millçin dhe hyrja do të jetë e lirë në teatër, për çdokënd.
Drama është padyshim një nga majat dramatike të Çehovit, i nevojshëm për të kuptuar çnjerëzimin e atyre që janë të pafuqishëm për t’u humanizuar në një botë që në mënyrë të pashpresë fundoset në barbarizmin e kohëve moderne.
Trajtimi që i bëhet veprës thekson zhdukjen e idealeve e bashkë me to edhe të heronjve.
“Heronjtë e rënë i ka mbuluar harresa, heronj të rinj nuk ka, kurse vendin e tyre e kanë uzurpuar barbarët e rinj që u pasuruan brenda natës”, shkruan Teatri Kombëtar në rrjetet sociale.
“Daja Vanja” nuk është vodëvil (variete argëtuese) dhe ajo që në të është komike apo absurde nuk buron nga ndërtimi dramatik, por përkundrazi, ndërtimi dramatik rrjedh nga vëzhgimi lucid dhe i pakorruptueshëm i jetës. Ajo që ndodh në dramë është vetëm një tablo besnike e jetës siç na shfaqet kur e vëzhgojmë pa paragjykime dhe skrupuj letrarë. /atsh/