Daja premton maksimumin kundër Plzen: Do të jetë e vështirë, ne do të bëjmë të pamundurën
Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja ka folur në konferencë për media, para ndeshjes kundër Viktoria Plzen, në Ligën e Konferencës.
Ballkani dhe Viktoria Plzen do të përballen të enjten nga ora 18:45, në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
Daja premtoi maksimumin nga futbollistët e Ballkanit, por ai vlerësoi edhe kundërshtarët çek.
“Përveç që kryeson grupin, Viktoria Plzen ka përvojë në kompeticione tjera madhore të UEFA-s. Nuk jemi të barabartë. Është ekip që ka eksperiencë më të madhe sesa ne. Nuk e dimë se çfarë do të ndodh nesër” – tha Daja në konferencë për media, raporton lajmi.
“Ne do të japim maksimumin. Natyrisht nëse duhet bërë llogaritë se si do dalin ndeshjet paralele. Fillimisht të shohim ndeshjen tonë. Do të bëjmë të pamundurën. Vështirësia është e madhe” – shtoi ai.
Ballkani zë vendin e tretë me katër pikë në Grupin C, një më shumë se Dinamo Zagrebi. Astana është e dyta me katër pikë po ashtu. Viktoria Plzen kryeson grupin me 12 pikë dhe ka siguruar kalimin tutje.