Daja i Ballkanit: Kemi bërë gjithçka mirë në këtë ndeshje kaq të vështirë, nuk do të kërkojmë lëmoshë nga asnjë
Ballkani humbi nga Viktoria Plzeni me rezultat minimal 1:0 në Ligën e Konferencës.
Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, është ndarë i kënaqur me performancën e klubit të tij duke ia atribuuar orarin të ngjeshur të ndeshjeve që i kanë pasur në ditët e fundit.
“Në fazën e mbrojtjes kemi bërë goxha mirë. Kemi pasur edhe ne situatat tona, sigurisht me një kundërshtar si Plzeni, me shtatë herë pjesëmarrje në grupet e Ligës së Evropës dhe 3-4 herë në grupet e Ligës së Kampionëve”, ka thënë Daja për ArtMotion.
“Kemi bërë gjithçka mirë në këtë ndeshje kaq të vështirë”.
Sidoqoftë, problem për të mbetet orari i ngjeshur i kampionit të Kosovës në futbollin vendor dhe atë ndërkombëtar.
Sidoqoftë, Daja tha se nuk do të kërkojë përkrahje nga klubet tjera të Superligës sa i përket orarit, ndonëse pret mirëkuptim pasi nuk la pa përmendur që sukseset e Ballkanit në Evropë po shkojnë si bonuse edhe për to.
“Sivjet ka një bonus tjetër, bonuset më të larta, se në këto dy vjetët ekipet në Kosovë, ato të Superligës, marrin shpërblim nga UEFA si rrjedhojë e pjesëmarrjes së Ballkanit në grupe”.
“Nuk do të kërkojmë lëmoshë nga asnjë, do të vazhdojmë të vuajmë dhe të përdorim të gjithë kontingjentin”.