Daçiqi Sveçlës: Marrëveshja e Brukselit ka vdekur për faj të Kosovës
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, i është kundërpërgjigjur homologut të tij nga Kosova, Xhelal Sveçla, duke i thënë se Marrëveshja e Brukselit mbeti një letër e vdekur për shkak të mospërmbushjes së obligimeve nga ana e Kosovës dhe se edhe pas 11 vitesh, Asociacioni nuk u formua.
Këto komente, Daçiq i bëri në takimin ministror të Procesit të Berlinit.
Ministri serb pretendoi se Sveçla ka thënë se “Kosova është në avantazh” krahasuar me Serbinë në zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, si dhe se është një partner serioz në luftën kundër krimit dhe migrimit të parregullt, si dhe përkujtoi se Procesi i Berlinit pasoi si rezultat i atmosferës pozitive që u krijua në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit në vitin 2013, thuhet në njoftim.
Por, Daçiqi thotë se kjo nuk është e vërtetë.
“Atë marrëveshje e kam nënshkruar unë në emër të Serbisë, Hashim Thaçi në emër të Prishtinës dhe Catherine Ashton në emër të BE-së, me mbështetjen e drejtpërdrejtë të kancelares së atëhershme Angela Merkel dhe sekretares amerikane të shtetit Hillary Clinton. Më duhet të them se pas dhjetë vjetësh nga fillimi i procesit të Berlinit, 11 vjet nga marrëveshja e Brukselit, nuk mund të pajtohesha me deklaratën, madje mund të them se është krejtësisht e kundërta nga ajo që kam dëgjuar nga përfaqësuesit e Prishtinës, se Kosova është në vend të parë në zbatimin e reformave”, ka theksuar Daçiq, raportojnë mediat serbe, transmeton Klankosova.tv.
Daçiqi tha më tej se sa i përket Marrëveshjes së Brukselit, “ajo mbeti një letër e vdekur” dhe theksoi se Kosova jo vetëm që refuzoi zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, por “po ushtron terror ndaj popullit serb”.
“Pas 11 vitesh, AKS-ja që garantohej nga BE-ja, Angela Merkel dhe Hillary Clinton, nuk është formuar. Ka qenë dërgimi i policisë speciale në veri të Kosovës, ku jetojnë ekskluzivisht serbët, gjë që nuk e lejon marrëveshja me NATO-n dhe për të cilën është rënë dakord kur ishim Hashim Thaçi, Catherine Ashton dhe unë në selinë e NATO-s. Në veri nuk ka policë serbë, as gjyqtarë dhe prokurorë serbë, por ka arrestime të serbëve, ndalim të mallrave serbe, dëbim nga institucionet dhe organet serbe”, ka thënë ministri serb.