
Cristiano Ronaldo zbulon të ardhmen: Do qëndroj tek Al-Nassr
Cristiano Ronaldo fitoi për herë të dytë në karrierën e tij Ligën e Kombeve, duke shënuar një gol në finalen që Portugalia fitoi me penallti kundër Spanjës.
CR7 pas këtij suksesi ka zbuluar edhe të ardhmen e tij, duke njoftuar se do të vazhdojë të jetë një lojtar i Al-Nassr. Fenomeni portugez në moshën 40 vjeç dëshiron të vazhdojë të shënojë gola në rrugën e tij drejt 1000 golave në karrierë, të fitojë trofe si protagonist dhe të mbetet një idhull për tifozët në të gjithë botën.
Cristiano Ronaldo kishte treguar disa të dhëna rreth të ardhmes së tij disa ditë më parë duke zbuluar se nuk do të marrë pjesë në Kupën e re të Botës për Klube pavarësisht ofertave të marra.
Në fund të finales së Ligës së Kombeve në Mynih, ku ai shënoi golin e 939-të të karrierës së tij të lavdishme, në zonën miks ai hoqi çdo dyshim për të ardhmen e tij: “Praktikisht asgjë nuk ndryshon”. Dhe kur u pyet nëse do të qëndrojë te Al-Nassr, ai u përgjigj: “Po”.