Costa: Shqipëria dhe Mali i Zi mund të anëtarësohen në BE para të tjerëve

Costa: Shqipëria dhe Mali i Zi mund të anëtarësohen në BE para të tjerëve

Zgjerimi drejt Ballkanit Perëndimor është rikthyer në një nga prioritetet e Bashkimit Evropian, deklaroi presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, për euronews.com.

Presidenti Costa, është përpjekur t’i sigurojë vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor se ‘’stabiliteti dhe prosperiteti i ardhshëm i kontinentit varen nga zgjerimi i Unionit’’.

Duke folur përpara një vizite në rajon, Costa u premtoi atyre se ‘’BE do të angazhohej për të ringjallur procesin e pranimit, i cili kohët e fundit ka ngecur, pjesërisht për shkak të hezitimit midis shteteve anëtare’’.

‘’Në zemër të misionit të saj në Ballkanin Perëndimor është nevoja që Brukseli të mos humbasë kontrollin strategjik mbi një rajon kyç’’, theksoi ai.

“Pushtimi rus i Ukrainës ka përshpejtuar procesin e pranimit të Ukrainës dhe Moldavisë, kështu që nuk është e drejtë që vendet e Ballkanit Perëndimor po tejkalohen nga Ukraina dhe Moldavia, dhe kjo do t’i shtyjë ato të përshpejtojnë reformat”, tha ai në prag të turneut të tij diplomatik në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ndalesa e parë e presidentit të Këshillit Evropian do të jetë Serbia, një vend i zhytur në një krizë politike prej disa muajsh.

Po atë ditë, Costa do të vizitojë edhe Bosnjën dhe Hercegovinën, përpara se të takohet të mërkurën me krerët e shteteve dhe qeverive të Malit të Zi dhe Kosovës.

Të nesërmen ai do të vizitojë Maqedoninë e Veriut. Ndalesa e tij e fundit do të jetë më pas Shqipëria, ku ai do të marrë pjesë në samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC) të premten në Tiranë.

Zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor do të jetë një nga prioritetet e samitit për shkak të paqëndrueshmërisë në rritje në rajon.

Udhëheqësit e shteteve anëtare të BE-së kanë frikë se fuqitë e jashtme po fitojnë terren në një rajon që është pjesë integrale e Evropës.

“Nga Këshilli Evropian, ekziston një konsensus i gjerë politik se zgjerimi është investimi më i rëndësishëm gjeopolitik që mund të bëhet për stabilitetin, paqen dhe prosperitetin e të gjithë Evropës, përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor”, theksoi Costa.

Presidenti i Këshillit Evropian vuri në dukje se “BE-ja dhe vendet e Ballkanit Perëndimor ndajnë një vizion të përbashkët, pasi ato i përkasin familjes evropiane. Kjo është arsyeja pse ne duhet të punojmë në mënyrë që ata të mund të bashkohen zyrtarisht me këtë familje, brenda Bashkimit Evropian”.

Institucionet evropiane shpesh e kanë treguar vitin 2030 si datën e synuar për pranimet e para në BE, veçanërisht ato të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Megjithatë, Brukseli tani flet vetëm për Shqipërinë dhe Malin e Zi.

“Nuk kam një datë të caktuar. Pse 2030? Pse jo më parë? Anëtarësimi është një proces i bazuar në meritë. Nëse vendet zbatojnë reforma, ato mund të bashkohen edhe para vitit 2030. Janë pikërisht meritat që mund të ndryshojnë. Shqipëria dhe Mali i Zi janë qartësisht më të përparuar se vendet e tjera”, thekson ai.

Megjithatë, lufta e Rusisë në Ukrainë ka çuar në një ringjallje të tensioneve në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në lidhje me tensionet në Bosnjë dhe midis Serbisë dhe Kosovës.

“Nuk njoh asnjë nxitje më të mirë për të kapërcyer konfliktet që janë ende të hapura sesa kjo mundësi ndoshta unike, që është anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Është kushti më i mirë për t’u ofruar vendeve të Ballkanit Perëndimor një mundësi për prosperitet që vështirë se do ta gjenin diku tjetër. Gjëja më e rëndësishme është të kuptojmë kuptimin e Bashkimit Evropian. Javën e kaluar festuam 75-vjetorin e Deklaratës së Schumann-it, hapi i parë drejt Bashkimit të sotëm”, ​​vuri në dukje Costa.

“Ajo që e ndërtoi vërtet BE-në ishte vullneti për të kapërcyer plagët e historisë”, përfundoi ai. /atsh/

Share This