“Çmenduri të fitosh titullin në derbi”, Calhanoglu: Shpresoj të jetë një përballje e bukur
Hakan Calhanoglu ishte nga ata që vuajtën më shumë titullin e fituar nga rivalët historik, të Milan, dy vite më parë në Serie A, pasi “fantazisti” turk i mesfushës sapo ishte larguar nga “Kuqezinjtë” për t’u bashkuar me gjysmën tjetër të Milanos dhe u vu në shënjestër nga ish-shokët e skuadrës dhe tifozët gjatë festimeve të “Scudetto”-s.
Megjithatë dy vite më vonë, turku ka mundësinë të “hakmerret”, këtë herë duke fituar titullin kampion me “Zikaltërit” e tij, pikërisht në derbin e 22 prillit në “San Siro”, aty ku Milani do të jetë pritës dhe 95% e tifozerisë në tribuna, do të jenë ata “Kuqezi”, të cilët padyshim nuk do ta kapërdinin kollaj, një humbje në derbi, që i siguron titullin “kushërinjve”.
“Do të ishte çmenduri të fitonim titullin në derbi, pikërisht në stadiumin e mbushur kuqezi. Do të përpiqem të ruaj qetësinë sigurisht, pasi dy vite më parë vuajta shumë faktin që u vura në shënjestër. Megjithatë mbi të gjitha shpresoj që të jetë një derbi i bukur, të vendoset nga fusha dhe që festimet të shkojnë në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha fillimisht “arkitekti” i mesfushës.
“Zikaltërit” janë rritur ndjeshëm nën drejtimin e teknikut, Simone Inzaghi dhe vetëm matematika e ndan nga titulli i 20 kampion në histori, falë paraqitjeve bindëse në fushë, teksa Calhanoglu zbulon se skuadra është shndërruar totalisht pas humbjes në finalen e Ligës së Kampionëve një vit më parë ndaj “Qytetarëve” të Manchester City.
“Ajo humbje në Stamboll na ka rritur shumë. Që atëherë ne kemi shumë më tepër bindje të forcat tona dhe jemi shumë më dominues ndaj kundërshtarëve. Inter ka qenë i fortë edhe më përpara, por tani të gjithë vlerësojnë maksimalisht lojën tonë. Mund të them me bindje se jemi një nga 5 skuadrat më të mira në botë, për atë që bëjmë në fushë. Bashkë me ne, po rritet gjithnjë e më shumë trajneri Inzaghi, që është i drejtpërdrejtë dhe na ndihmon jashtëzakonisht shumë”, u shpreh, më tej Calhanoglu.