Clark: Forcimi i sigurisë përmes zhvillimit ekonomik dhe investimeve

Clark: Forcimi i sigurisë përmes zhvillimit ekonomik dhe investimeve

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi një diskutim virtual me Gjeneralin Wesley Clark, ish-komandant suprem i forcave aleate të NATO-së për Evropë dhe anëtar nderi i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë. Ky aktivitet u organizua në shënim të 26-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë dhe 21-vjetorit të themelimit të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Përmes një njoftimi për medie bëhet e ditur se në një bashkëbisedimin me drejtorin ekzekutiv të Odës Amerikane, Arian Zeka, gjenerali Clark tha se Kosova ka një pozicion shumë të rëndësishëm strategjik, duke ofruar paralajmërimet e para për kërcënimet ndaj stabilitetit rajonal në Ballkanin Perëndimor.

“Bota po e shikon Kosovën dhe mënyra më e mirë për të forcuar sigurinë e saj është përmes zhvillimit ekonomik dhe investimeve, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara”, tha gjenerali Clark.

Duke adresuar rolin e Kosovës në çështjet rajonale dhe globale, gjenerali Clark theksoi rëndësinë themelore të sundimit të ligjit, duke i kërkuar Kosovës që “të jetë krenare për të, ta forcojë atë dhe ta përdorë atë për të ndërtuar besimin e investitorëve”. Ai bëri thirrje për investime në infrastrukturë dhe energji, duke vënë në dukje rezervat e bollshme të linjitit të Kosovës, si dhe duke avokuar për transformimin dixhital të vendit, përmirësimin e sistemeve tatimore, lidhjen në brezin e gjerë të internetit dhe sigurinë kibernetike për të luftuar dezinformimin dhe përmbysjen e jashtme.

Duke folur për përmirësimin e klimës së biznesit, gjenerali Clark inkurajoi Kosovën që të përqafojë bashkëpunimin rajonal me fqinjët si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, madje edhe Serbia, duke theksuar se, “Përfundimisht, Serbia do të duhet të pranojë pavarësinë tuaj dhe bashkëpunimi ekonomik do të jetë i pashmangshëm”.

Ai gjithashtu theksoi rolin e rëndësishëm të Odës Amerikane në këtë rrugëtim si gjeneruese e propozimeve të politikave që nxisin investimet e huaja direkte.

Ai u bëri thirrje liderëve të Kosovës që të ndjekin qeverisjen e pastër, unitetin politik dhe të mbajnë një baraspeshë të fortë ndërmjet qeverisë dhe sektorit privat. “Vetëm qeveritë nuk mund të nxisin rritjen – ju nevojitet sektori privat, veçanërisht në teknologjinë e informacionit dhe shërbime, ku talenti dhe aftësitë gjuhësore të Kosovës mund të shkëlqejnë.”

Krejt në fund, Clark foli për rëndësinë e kthimit të të rinjve në Kosovë, për të kontribuar me idetë e tyre për zhvillimin dhe të ardhmen e Kosovës. /rtk/

Share This