Çka gjeti Policia në banjon e hotelit në Banjskë
Policia e Kosovës të premten ka gjetur armatim në hotelin “Rajska Banja” në Banjskë të Zveçanit, e i cili dyshohet se ka qenë aty që nga sulmi në këtë fshat nga grupi kriminal i serbëve ndaj Policisë së Kosovës në shtator të vitit të kaluar.
Policia një ditë më parë ka njoftuar për aksionin, e ndërsa të shtunën ka thënë se armatimi u gjet në banjo. Nga aty ka konfiskuar një AK-47, karikatorë, fishekë, kapelë, bluza dhe pantallona ushtarakë, thikë, antiplumb e pajisje të tjera.
“Njësiti i hetuesisë gjatë kontrollit në banjon e një hoteli ka gjetur dhe konfiskuar: një AK-47, katër karikatorë, 103 fishekë kalibrash të ndryshëm, kapelë, bluza dhe pantallona ushtarakë, një thikë, shallë ushtarake, antiplumb me pajisje tjera. Rasti duke u hetuar”, thuhet në raportin 24-orësh të PK-së.
Kompleksi “Rajska Banja” u mor në administrim nga shteti në fund të vitit të shkuar. Kompleksi ishte funksional deri në marrjen e tij nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Hapjen e hotelit në Banjskë e kishte bërë Marko Gjuriq, që tash është ministër i Jashtëm i Serbisë. E, bazuar në fotot që ka publikuar faqja e kësaj banje, aty kanë qëndruar edhe ish-kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, e zyrtarë të Listës Serbe. AKP-ja njoftoi se objekti është rinovuar pa leje dhe se është pronë e ndërmarrjes shoqërore “Trepça Standard”. Në këtë kompleks ishte sekuestruar edhe ushqim.
Më 24 shtator të vitit të kaluar, dhjetëra serbë të armatosur patën sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë duke vrarë policin Afrim Bunjaku. Në aksionin pasues të Policisë ishin vrarë edhe tre sulmues serbë. Përgjegjësinë për sulmin terrorist e pati marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, që besohet se është në Serbi.