
Çitaku: Jemi në bllokadë për shkak të papërgjegjësisë së VV-së
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku pas dështimit të përpjekjes së 37-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës ka theksuar se ky ngërç politik është si rezultat i papërgjegjësisë së Lëvizjes Vetëvendosje.
“Në këtë pikë të bllokadës së plotë jemi si rezultat i kryeneçësisë, papërgjegjësisë së Albin Kurtit dhe LVV-së. I dëgjojmë deklaratat qesharake që gjoja i kanë numrat për Qeverinë, por jo për Kuvendin. I bëjmë thirrje kryetarit të LVV-së që të reflektojë, Kosova është shumë më e madhe dhe e rëndësishme sesa egoja e tij”, ka thënë ajo, raporton rtk.
Vazhdimi i seancës dështoi pasi kuvendi nuk pati kourum as kësaj here. Deputetët kanë votuar me 52 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim për propozimin për themelimin e Komisionit për Votim të Fshehtë për Zgjedhjen e kryeparlamentarit të Kosovës, por që nuk ka mjaftuar të ecet tutje.