Cisse: S’do ta harroj kurrë fjalimin e Gerrard-it në finalen e vitit 2005
Ish-ylli i Liverpoolit, Djibril Cisse pas një periudhë të gjatë është rikthyer të flasë për finalen e madhe të Ligës së Kampionëve në vitin 2005.
‘The Reds’ patën mundur Milanin në një finale të ‘çmendur’ duke bërë rikthimin sensacional në pjesën e dytë të asaj ndeshje.
Cisse thotë se kurrë nuk do të harrojë fjalimin e ikonës së Liverpoolit, Steven Gerrard.
“Nuk do ta harroj kurrë fjalimin e Steven Gerrard me ekipin në pjesën e parë gjatë finales së Ligës së Kampionëve 2005. Benitez vjen në dhomën e zhveshjes, ai jep fjalimin e trajnerit, se ne nuk duhet të dorëzohemi dhe se duhet të shënojmë shpejt”, tha Cisse.
“Steven ngrihet dhe i kërkon të gjithë stafit stërvitor të largohen nga dhoma e zhveshjes, sepse ai donte të ishte vetëm me lojtarët. Iku i gjithë stafi, madje edhe fizikanët që po trajtonin lojtarët. Stevie ngrihet dhe thotë se Liverpool është gjithçka që ai ka, është klubi i tij, gjithçka që ka njohur ndonjëherë dhe nuk dëshiron të jetë përqeshja e historisë së Ligës së Kampionëve”.
“Ai thotë se nëse e respektojmë dhe e duam si kapiten, atëherë duhet të pastrojmë pluhurin dhe të kthehemi në ndeshje. Ai shënon golin e parë, ai fiton penalltinë. Ai luan një pjesë të dytë të jashtëzakonshme, duke e përfunduar lojën si mbrojtës i djathtë. Ai ka një ndeshje të çmendur – por ai fjalim i pjesës së parë do të mbetet i ngulitur në mendjen time përgjithmonë”, ka theksuar Cisse.