
Chelsea mund të përfitojë nga kriza e Milanit, synon Reijnders
AC Milan po përballet me një krizë të thellë pas humbjes nga Lazio, duke rënë në vendin e nëntë në Serie A.
Me 17 pikë diferencë nga lideri Inter dhe nëntë pikë larg vendeve që çojnë në Ligën e Kampionëve, klubi rrezikon të mos kualifikohet në turneun më të rëndësishëm evropian sezonin e ardhshëm.
Nëse skuadra nuk arrin të sigurojë një vend në Top 4-she, drejtuesit e Milanit do të duhet të shqyrtojnë shitjen e disa lojtarëve të rëndësishëm, pasi mungesa e të ardhurave nga Liga e Kampionëve do të ndikojë ndjeshëm në financat e klubit.
Një nga klubet që mund të përfitojë nga kjo situatë është Chelsea. Londinezët kanë shfaqur interesime për Tijjani Reijnders, një nga lojtarët më të spikatur të Milanit këtë sezon.
26-vjeçari holandez ka qenë një nga pikat e forta të kuqezinjve, duke regjistruar 12 gola dhe 3 asistime në 40 ndeshje zyrtare. Performanca e tij e ka bërë atë një objektiv tërheqës për Premier League, me Chelsean që tashmë ka filluar të lëvizë në prapaskenë.
Sipas gazetarit Matteo Moretto, Milani dëshiron të rinovojë kontratën e Reijnders, por nëse një ofertë e madhe mbërrin, ata mund të detyrohen ta shesin lojtarin për të stabilizuar situatën financiare.
Kujtojmë se klubi italian e bleu Reijnders nga AZ Alkmaar për rreth 20 milionë euro në vitin 2023.