Champions/ S’gabojnë Atletico Madrid dhe Lille e Zhegrovës

Champions/ S’gabojnë Atletico Madrid dhe Lille e Zhegrovës

Atletico Madrid dhe Lille kanë fituar duelet e radhës në Ligën e Kampionëve.

Atletico Madrid e ka mposhtur Slovan Bratislava, me rezultat 3-1, të mërkurën në kuadër të xhiros së gjashtë në elitën e futbollit evropian.

Julian Alvarez realizoi pas vetëm 10 minutave lojë pas asistimit të Linos për ta zhbllokuar rezultatin.

Ndërsa, ishte Antoine Griezmann që dyfishoi epërsinë pas një bashkëpunimi fantastik me Marcos Llorente (42’).

Bratislava e ngushtoi epërsinë në pjesën e dytë, me Strelec që ishte i saktë nga pika e bardhë (51’).

Mirëpo, vetëm gjashtë minuta më vonë në skenë doli sërish Griezmann, i cili vulosi fitoren (57’).

Atletico me këtë fitore shkon në kuotën e 12 pikëve ndërsa Bratislava eliminohet nga Liga e Kampionëve pa pikë.

Fitore tejet të rëndësishme ka shënuar edhe Lille e cila pa Edon Zhegrovën mundi Sturm Graz me rezultat 3:2.

Sahroui realizoi një gol të bukur pas asistimit të Alexsandros për ta kaluar Lillen në epërsi (37’).

Kurse, ishte Bakker që dyfishoi epërsinë duke u gjendur në vendin e duhur pas një topi të kthyer (45+2’).

Megjithatë, në fundin e pjesës së parë mysafirët e ngushtuan epërsinë përmes Kiteishvili (45+4’).

Sturm pastaj befasoi të gjithë duke e barazuar rezultatin falë Biereth që u asistua nga Boving (47’).

Fitoren e Lilles e vulosi në fund Haraldsson që u asistua nga Jonathan David (81’).

Pas kësaj fitore, Lille renditet në pozitën e gjashtë me 13 pikë ndërsa Sturm Graz zë pozitën e 29-të me tre sosh.

Share This