Champions League: Grupi F vjen me sfidat e ‘çmendura’
Newcastle kundër Milanit në Grupin F, një ndeshje ku barazimi nuk i duhet askujt dhe vetëm fitorja mund të sjellë kalimin për më tej për secilën prej skuadrave.
Edhe aq mund të mos mjaftojë, pasi duhet pritur edhe ndeshja e Dortmundit, ku Borusia e kualifikuar pret Paris SG.
Për Newcastle, në rast fitoreje, mjafton edhe barazimi i francezëve, ndërsa për Milanin duhet që francezët të humbasin. Gjithçka për shkak të përballjeve direkt.
Newcastle e Milan kanë nga 5 pikë, dy më pak se Paris SG. Newcastle favorizohet nga barazimi me pikë me francezët, pasi ka rezultate më të mira në ndeshjet direkt, një fitore e një barazim.
Milanit nuk i mjafton barazimi me pikë me francezët, pasi përballë tyre ka humbur 3-0 e fituar 2-1. Nga ana e tyre, francezët e kanë vetë në dorë fatin, pasi në rast fitoreje nuk kanë pse presin nga ndeshjet e tjera, ndërkohë që edhe barazimi u bën punë nëse Newcastle nuk fiton. Ky nuk do të ishte një rezultat i pamundur, përkundrazi, pasi skuadra angleze po përjeton një krizë të madhe dëmtimesh, me plot dhjetë lojtarët jashtë loje.
Për Milanin kthehet Leao, lojtari më i rëndësishëm i kuqezinjve dhe fitorja nuk është mision i pamundur. Pjesa më e vështirë për ta ndoshta do të luhet në Dortmund, ku Borussias së kualifikuar i mjafton një pikë për vendin e parë, çka për Milanin do të thotë eliminim.