
Çështja e lojtarëve që braktisin Kosovën: Individët që po e dëmtojnë shtetin e Kosovës të shpallen “Non-Grata”
Futbolli i Kosovës ka përjetuar një ngritje të ndjeshme në vitet e fundit, por njëkohësisht është përballur me sfida të mëdha, përfshirë largimin e disa lojtarëve të rinj që vendosin të përfaqësojnë kombëtare të tjera. Në shumë raste, kjo ndodh për shkak të ndikimeve të jashtme, ku menaxherët dhe individë të caktuar luajnë një rol kyç në orientimin e karrierës së tyre.
I tillë është Eros Grezda, i cili, përveç se nuk ka kontribuar për Kosovën si lojtar, tani si menaxher po ndikon edhe te futbollistët e rinj që të ndjekin të njëjtën rrugë, duke ia kthyer shpinën Kosovës. Këtë e pranoi edhe vetë ai në një intervistë për Klan Kosova rreth rastit të Etnik Brrutit:
“Po, është e vërtetë, kemi rënë dakord me FSHF, çështje ditësh që ai të pajiset me pasaportë. Ai do të luajë ndaj Anglisë dhe Andorrës”.
Për më tepër, ai akuzoi Federatën e Futbollit të Kosovës për neglizhencë në rastin e Brrutit, duke thënë:
“Unë i kuptoj zërat që janë bërë, por s’e kuptoj që e quajnë tradhtarë. Ai s’po i bashkohet Serbisë apo Maqedonisë. Gjithsesi, unë do të thoja që për Brrutin është privilegj të luajë për Shqipërinë, është pagjumësi e FFK-së që s’e kanë ftuar më herët”.
Megjithatë, këto deklarata bien ndesh me faktet, pasi Brruti jo vetëm që gëzonte privilegjin e kapitenit te Kosova U21, por edhe ishte në planet e përzgjedhësit Franco Foda për ndeshjet e marsit, pasi kishte qenë pjesë e grumbullimeve të janarit me futbollistët më të talentuar të Kosovës.
Po ashtu, deklarata e Grezdës është skandaloze, pasi me këtë i fyen futbollistët shqiptarë që luajnë për Maqedoninë e Veriut, duke lënë të nënkuptohet se ata janë tradhtarë.
Këta njerëz të ligë që në plan të parë e kanë interesin personal dhe paranë, përmes “patriotizmit” të rrejshëm dhe kanaleve kriminale në Shqipëri po bashkëpunojnë edhe me Rusi. Prandaj, me të drejtë shumë komentues në rrjetet sociale kanë kërkuar që individët që punojnë për rrënimin e futbollit kosovar dhe në afirmimin e Kosovës si shtet të shpallen “Non-Grata” dhe t’u merret shtetësia kosovare.
Përfaqësimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare duhet të jetë një nder dhe përgjegjësi, jo thjesht një mundësi kalimtare për interesa personale.
Natyrisht, çdo lojtar ka të drejtën e tij për të zgjedhur kombëtaren që do të përfaqësojë, por është e padrejtë që futbollistët të shfrytëzojnë Kosovën si një trampolinë për karrierën e tyre.
Prandaj, kjo çështje kërkon një qasje më serioze nga institucionet përkatëse si të Kosovës, ashtu edhe të Shqipërisë. Sa më parë, aq më mirë!